Loading...

Sunday, January 16, 2022

Çfarë paradhënie mund të marrin familjarët e ish-krerëve të UÇK-së me rastin e realizimit të vizitave në Hagë?





Familjarët e ish-krerëve të UÇK-së që po mbahen në paraburgim në Hagë, mund të marrin paradhënie nga shteti me rastin e realizimit të vizitave të të afërmve të tyre. Por, paradhënia është e kufizuar vetëm për shpenzimet e fjetjes dhe të ushqimit, shkruan Gazeta Infokus. Kjo paradhënie parashihet të jepet tek pas miratimit të kërkesës për udhëtim.





Bazuar në Udhëzimin Administrativ MD – Nr.03/2020, shteti merr përsipër që t’i mbuloj shpenzimet për fjetje në hotel në shumën prej tetëdhjetë euro për një natë dhe shpenzimet për ushqim, në shumën prej pesëdhjetë euro për një ditë. Derisa për shpenzimet e tjera që mund të bëhen me rastin e vizitave në Hagë, kërkohen dëshmi me fatura, për shpenzimet e hotelit dhe të ushqimit nuk kërkohet një gjë e tillë. “Për shpenzimet e fjetjes dhe ushqimit nuk kërkohet dëshmi”, thuhet shprehimisht në Udhëzim Administrativ.





Se a janë të mjaftueshme 80 euro për një natë në hotel në Hagë, kjo mbetet diskutabile. Ajo që dihet është se kjo shumë është dukshëm më e vogël se ajo që marrin zyrtarët kur udhëtojnë në këtë Holandë. Për këta të fundit parashihen jo më pak se 131 euro për një natë në hotel, ndërsa 98.90 euro për ushqim.





Nga Dhomat e Specializuara, ditë më parë kanë treguar ekskluzivisht për Gazetën Infokus se nga 15 korriku do t’iu lejohen vizitat anëtarëve të ngushtë të familjes. “Të gjithë të paraburgosurve u sigurohen mjete të arsyeshme për të mbajtur marrëdhënie personale, përfshirë edhe vizitat nga anëtarët e familjes. Në përputhje me këshillat mjekësore dhe pas një fushate të suksesshme vaksinimi në Qendrat e Paraburgimit, masat COVID-19 të aplikuara në Qendrat e Paraburgimit po hiqen gradualisht dhe në mënyrë progresive”, ka thënë zëdhënësja e Gjykatës Speciale, Angela Griep.





Ndërkohë, edhe në Prishtinë, Ministria e Drejtësisë ka filluar përgatitjet e dokumentacionit për vizitat e familjarëve të atyre që po mbahen në Hagë. Anëtarët e ngushtë të familjes konsiderohen bashkëshorti, bashkëshortja, fëmijët, fëmijët jashtëmartesor, fëmijët e adoptuar, prindërit, vëllezërit, motrat, njerka, njerku, si dhe bashkëshorti/bashkëshortja jashtëmartesore. Sipas udhëzimit çdo person i akuzuar potencial, brenda një viti, ka të drejtë të vizitohet me mbështetje të nevojshme financiare, më së shumti nga dymbëdhjetë anëtarë të ngushtë të familjes, dhe jo më shumë se tre anëtarë të familjes për një vizitë./Gazeta Infokus/





Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *