Loading...

Sunday, January 23, 2022

Dy tradhtitë e Serbisë ndaj SHBA-së në dy ditë

Serbia ka kohë që proklamon politikë të jashtme oportuniste: Mirë me të gjithë – me Rusinë, Kinën, BE-në e SHBA-në.Ajo deri më tash ka hezituar të pozicionohet me Lindjen apo Perëndimin, megjithëse synon këtë të fundit, pasi është në proces të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.Serbia në vazhdimësi ka refuzuar t’i bashkohet bllokut të BE-së për vënie të sanksione ndaj Rusisë, e së fundi ajo “ia ka kthyer fjalën” edhe SHBA-së.





Më 1 korrik, kaloi koha kur Serbia ishte zotuar para SHBA-së se do të bartte ambasadën e saj në Izrael nga Tel-Avivi në Jerusalem, ndërkohë një ditë më herët, më 30 qershor, Serbia nderoi me mirënjohje një ish-komandantin e xhandarmërisë serbe, Goran Radosavleviq – Guri.





Radosavleviq akuzohet nga SHBA-ja si personi përgjegjës për vrasjen e tre vëllezërve shqiptarë me shtetësi amerikane, Yll, Agron e Mehmet Bytyqi.Tre vëllezërit u arrestuan në kufirin Kosovë – Serbi pak pas përfundimit të luftës më 1999 ku ishin pjesë e UÇK-së, e më 2001 u gjeten mbetjet mortore të tyre në kampin, që udhëhiqej nga Radosavleviq.

SHBA-ja ka reaguar përmes ambasadës së saj në Beograd për këtë ndarje te mirënjohjes, ndërkohë ka kërkuar që të zbardhet e vërteta për tre shtetasit e saj të vrarë në Serbi. SHBA-ja ka kujtuar se ka sanksionuar Radosavleviqin për rolin e tij në vrasjen e vëllezërve Bytyqi.Radosavleviqi që nga viti 2018, e ka të ndaluar hyrjen në SHBA, pasi është futur në “listën e zezë”.





Vëllezërit Bytyqi për 15 ditë ishin mbajtur në burg e më pas ishin liruar, por me të dalë nga aty, dyshohet se policia serbe i dërgoi në bazën e Njësive speciale kundër terrorit të Ministrisë së Brendshme serbe në Petrovo Sello, që ishte nën komandën e Goran Radosavleviqit – Guri.

Vetë Radosavleviq ka mohuar akuzat për përgjegjësinë e tij në këto vrasje.Ndërkohë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 2016 i kishte premtuar presidentit të tashëm të SHBA-së, Joe Biden, se do të angazhohet vetë për zbardhjen
e kësaj ngjarje tragjike. Bideni në atë kohë ishte zv.president.





Derisa për moszhvendosjen e ambasadës së Serbisë në Jerusalem, Vuçiqi ka thënë se nuk do ta bëjë këtë, pasi Izraeli ka njohur pavarësinë e Kosovës ndërkohë. Në fakt, si njohja e Kosovës nga Izraeli, ashtu edhe zhvendosja e ambasadës së Serbisë në Jerusalem, ishin pjesë e zotimeve që kishin firmosur Kosova e Serbia në Shtëpinë e Bardhë më 4 shtator 2020, në prani të ish-presidentit amerikan, Donald Trump.





Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *