Loading...

Wednesday, December 01, 2021

Eksperti amerikan: Serbia krijoi krizën në Kosovë për të arsyetuar rinisjen e fushatës së çnjohjeve

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka shfrytëzuar vendimin e Kosovës për të implementuar reciprocitetin për targa për t’i paraqitur serbët në Kosovë si viktima të diskriminimit etnik dhe për të provokuar një krizë rajonale më 20 shtator, 2021. Ky është përshkrimi me të cilin ka nisur raportin për krizën në veri të Kosovës, eksperti amerikan për çështjet ruse, në kuadër të Institutit për Studime të Luftërave, George Barros. Sipas tij, Serbia mendon ta shfrytëzojë këtë krizë në veri si arsyetim për të rinisur fushatën e çnjohjeve të shtetësisë së Kosovës, pas moratoriumit njëvjeçar nga Marrëveshja e Washingtonit.





Barros në të kaluarën ka qenë këshilltar për çështjet që lidhen me Rusinë për një pjesëtar të Komitetit për Punë të Jashtme në Kongresin Amerikan. Instituti për Studime të Luftës është themeluar më 2007. Ai merret me hulumtime dhe analiza për çështjet e mbrojtjes dhe të politikës së jashtme. Ai ka lëshuar disa herë raporte për luftën në Afganistan e Irak, duke u fokusuar në operacionet ushtarake, kërcënimet e trendët politikë në zonat e luftës. Ka bazën në Washington.





Në analizën e tij, Barros ka shpjeguar situatën në Kosovë dhe vendimin e Qeverisë së Kosovës për masën e reciprocitetit për targat e veturave nga Serbia. Nga 20 shtatori, Kosova nisi të vendoste tabela të përkohshme për veturat me targa të Serbisë që hynin në vend. Vendimi ishte marrë pas skadimit të marrëveshjes së Brukselit, që nuk ishte zbatuar nga Kosova, ndërsa Serbia qe 10 vjet kishte larguar targat e Kosovës e i kishte vendosur ato të përkohshme. Vendimi nxiti reagim të serbëve që bllokuan rrugët kufitare në veri, në drejtim të pikëkalimeve kufitare në Jarinjë e Bërnjak. Përballë protestuesve që bllokuan rrugët me automjete, qëndruan forcat e Njësisë Speciale të Kosovës.Barrosi ka përmendur si pikë të dytë të analizës së tij provokimet e Serbisë me demonstrime ushtarake.





“Ministri i Mbrojtjes i Serbisë ka thënë se trupat serbe ishin të gatshme të mbronin serbët, duke ngritur gatishmërinë e Forcave të Armatosura të Serbisë dhe duke vizituar bazat ushtarake në afërsi të kufirit me Kosovën më 23 shtator. Forcat serbe dërguan disa mjete ushtarake në mes të 23 dhe 27 shtatorit, përfshirë tanke, aeroplanë luftarakë e helikopterë si demonstrim të forcës. Aeroplanët luftarakë të Serbisë iu afruan kufirit të Kosovës për herë të parë që nga fundi i luftës më 1999”, ka shkruar ai.

Sipas tij, Kremlini synoi intensifikimin e protestave në Kosovë. Siç shkruan Barrosi, Policia e Kosovës ka arritur të ndalte dy gazetarë rusë që u përpoqën të mbulonin krizën në vend. Ministria e Jashtme ruse lëshoi komunikatë duke akuzuar shqiptarët për “provokime” ndaj gazetarëve rusë. Madje Rusia shkoi një hap përtej kësaj duke akuzuar edhe mediat kosovare se po përdorin incidentin për të akuzuar Rusinë për spiunazh.





Pika e tretë e analizës ka të bëjë me përpjekjet e NATO-s dhe të Kosovës për shtensionim të situatës. Ai ka kujtuar se më 27 shtator nisi patrullimi në masë më të madhe i KFOR-it në veri. Si përpjekje të Kosovës për shtensionim, Barrosi ka përmendur deklaratën e kryeministrit Albin Kurti se vendimi për reciprocitet s’është kundër etnisë serbe.

Marrëveshja e 30 shtatorit për zhbllokim të veriut, me protestuesit dhe policët që duhet të largoheshin në të njëjtën kohë e që KFOR-i të qëndronte në zonat kufitare, ka zënë vend në analizën e tij. Edhe pse marrëveshja kërkon ritakim të Kosovës e Serbisë me Bashkimin Evropian më 21 tetor si nismë për t’u përpjekur për të arritur një marrëveshje të përhershme brenda gjashtë muajsh, siç shkruan Barrosi, “Vuçiqi mund të vendosë për të eskaluar sërish situatën para këtij afati”.





“Vuçiqi u takua me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, më 30 shtator, në ditën kur u arrit marrëveshje për shtensionim. Pas takimit, Ursula von der Leyen vlerësoi përparimin e supozuar të Serbisë në reformat e sundimit të ligjit. Ky ishte ndryshim domethënës i retorikës së BE-së për reformat e Serbisë. Raporti më i fundit i Parlamentit Evropian i marsit 2021 spikati se Serbia po tërhiqet nga reformat.





Serbia s’ka bërë asnjë reformë që nga marsi i 2021-s, për dallim nga deklarimet e 30 shtatorit të von der Leyenit”, ka thënë Barrosi më tej në analizë duke u marrë me ndryshimin e retorikës së BE-së karshi Serbisë.Më tej, Barrosi ka dhënë arsyet pse Vuçiqi ka krijuar eskalim të situatës tash dhe si mund ta shfrytëzojë atë në të ardhmen.

Sipas tij, Vuçiqi e ka krijuar situatën e tensionuar tash në mënyrë që Serbia të “shmangë” tri sfida. Pikë të parë e ka përmendur përfundimin e moratoriumit njëvjeçar të Marrëveshjes së Washingtonit, me të cilin Serbisë i ishte ndaluar përpjekja për të kërkuar çnjohje të shtetësisë së Kosovës, e Kosovës i ndalohej aplikimi për pranim në organizata ndërkombëtare. Marrëveshja përfundoi më 4 shtator.





Pikë e dytë ka qenë intensifikimi i presionit evropian mbi Serbinë për mungesë reformash, ndërsa e treta se në Serbi zgjedhjet e reja do të mbahen në prill të 2022-s. “Vuçiqi synon të mbajë pozicionin e tij të fortë në politikën serbe pas fitores së partisë së tij në zgjedhjet parlamentare të 2020-s”, ka thënë për këtë pikë Barrosi.

Ai ka renditur edhe katër çështje të cilat mund t’i avancojë Vuçiqi në të ardhmen me çështjen e tensioneve në veri.Pika e parë ka qenë që të krijohen kushte të favorshme për Serbinë për të rinisur dhe intensifikuar fushatën e çnjohjeve ndaj Kosovës. “Vuçiqi po përpiqet të diktojë çdo kompromis të mundshëm të së ardhmes me Kosovën pas skadimit të marrëveshjes me SHBA-në, me kushte të preferuara të Serbisë.”





Pika e dytë është që Vuçiqi mund ta kërcënojë Kosovën të mos vazhdojë përpjekjet për anëtarësime në organizata ndërkombëtare.

Ndërkaq eskalimin e situatës, Vuçiqi mund ta shfrytëzojë për të ulur presionet e BE-së për reformat, por edhe për planet e Serbisë që të marrë pjesë në ushtrimet e përbashkëta ushtarake me Rusinë.





Pika e fundit lidhet me zgjedhjet në Serbi. Me tensionet në veri, Vuçiqi synon të përforcojë pozitën e tij në pushtet. Me manovrat ushtarake, sipas Barrosit, Vuçiqi ka prekur sentimentin e serbëve që vazhdojnë t’i konsiderojnë shqiptarët si armiq.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *