Loading...

Sunday, December 05, 2021

Ish-zëvendësministri i MPB ka një thirrje urgjente për Albin Kurtin dhe Albulena Haxhiun

Nga Qeveria Kurti dhe ministria e Drejtësisë po kërkohet që sa më parë të fillojë pastrimi i institucioneve dhe të bëhej ligji i vettingut.Një kërkesë të tillë tash e sa kohë po e bën ish-zëvendësministri i MPB-së, Hajrullah Tërnava, që sipas tij, vetëm me drejtësi të çliruar nga ndikimet e grupeve mafioze do të kthehet vullneti dhe shpresa e qytetarëve për këtë vend.Eksperti i sigurisë, shton se në këtë mënyrë qytetarët do të kontribuojnë për Kosovën.Ai thotë se një shpresë e madhe te qytetarët do të kthehet edhe kur të bëhet konfiskimi i pasurisë të fituar në mënyrë të jashtëligjshme.Sipas Tërnavës, këtë pastrim të institucioneve e kanë për obligim ta bëjnë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.





“Fitorja në zgjedhjet e fundit e kësaj Qeverie me aq shumë vota absolute, e konfirmon çështjen e situatës të kriminalizuar në të gjitha institucionet e vendit tonë, e posaçërisht në ato të drejtësisë, në te cilën tani pritet që kjo qeveri të ndërmerr të gjitha veprimet e luftimit të atyre të këqijave që janë bërë deri më tani, që së paku të filloj në këtë shtet funksionimi i ligjeve dhe që njëherë e mirë të kuptohet se pa funksionim të ligjeve nuk mund të krijohet dhe të formohet shteti i Kosovës.





Prandaj është koha që qysh tani të fillohet të hetohen dhe identifikohen, qoftë edhe me kërkesë -urdhër nga Ministria e Drejtësisë, drejtuar KGJK-s, si dikaster i hartimit të politikave të gjyqësorit, të gjithë̈ ata gjyqtarë dhe prokurorë të cilët në të kaluarën dhe deri më tash, kanë vazhduar të dirigjohen nga pushtetarët e inkriminuar e mafioze të nivelit të lartë dhe mafio-oligarkët në Kosovë, duke vendosur edhe për fatin e lëndëve gjyqësorë në procedurë, kur ata kanë pasur interes për t`u refuzuar apo për t`u miratuar, duke shpërblyer gjyqtaret edhe me gradim nga Gjykata themelore në atë të Apelit, apo nga Gjykata e Apelit në atë Supreme. Këtë duhet ta bëjnë kryeministri Kurti dhe ministrja Haxhiu”, thotë Tërnava.





Sipas tij, çështja se pse është bërë deri më tani e gjithë kjo ndërhyrje në sistem duke e pasur nën kontroll me votat e tyre edhe Këshillin e degraduar Gjyqësor të Kosovës, ku gjyqtarët e kuptojnë se po avancohen në pozita, ende pa marrë as edhe një vendim zyrtar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, është e kuptueshme kur tani e mbi 20 vite në krye të këtij shteti kanë qëndruar njerëzit e kriminalizuar të cilëve vetëm çështja e pasurimit të tyre ju kanë interesuar, prandaj sipas tij, kanë ndërmarr edhe veprime të tilla që i kanë emëruar në poste të larta të institucioneve vetëm njerëzit e dëgjueshëm e që punojnë për interesat e tyre.





“Prandaj është lehtë me e nënkuptua situatën e tillë të krijuar, e që edhe vetë situata na flet se në Kosovë nuk ka akoma drejtësi të vërtetë e ligjore, por ka inkriminim të thellë edhe të sistemit të drejtësisë në krim të organizuar, dhe tani e tutje çdo ditë kemi panik te ata që janë të inkriminuar në suazat e thella të krimit të organizuar e që po i vërejmë tani edhe në parlamentin e Kosovës njerëz që për një muaj të qeverisjes shpikin situata inegzistente të krimit të kësaj qeverie, por tani bash kjo qeveri sikur që e ka fillua punën tani po na e kthen shpresën se do ta pastroj këtë vend, dhe ky vend do të pastrohet vetëm tash në proces e sipër të hetimit serioz, të sanksionimit dhe diferencimit deri në fillimin e zbatimin e plotë të ligjit VETTING për vetëpastrimin nga korrupsioni e krimi i organizuar”, potencon ai.Andaj ai kërkon që sa më parë të fillohet pastrimi i institucioneve.





“Vullneti dhe shpresa e qytetarëve do t’iu kthehet që ta duan këtë shtet të tyre, dhe të kontribuojnë për të, e sidomos kur atyre të kriminalizuarve t’iu konfiskohet pasuria e arritur jashtëligjshëm, dhe me këto veprime të konfiskimeve të jashtëligjshme, gjeneratave në të ardhmen do iu shërbejnë si mësim që në kulturat e tyre ligjore, mos të kriminalizohen por të punojnë vetëm në bazë të ligjeve dhe ti përfitojnë rrogat e tyre në bazë të rregulloreve që i parashohin ligjet e Kosovës”, përfundon Hajrullah Tërnava.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *