Loading...

Tuesday, November 30, 2021

Këto janë shpenzimet që i mbulon Ministria e Drejtësisë për vizitat e familjarëve në Hagë

Pas shumë muajsh drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po mbahen në Hagë do të mund të takohen me të afërmit e tyre.Nga Dhomat e Specializuara kanë treguar ekskluzivisht për Gazetën Infokus se nga 15 korriku do t’iu lejohen vizitat anëtarëve të ngushtë të familjes.





“Të gjithë të paraburgosurve u sigurohen mjete të arsyeshme për të mbajtur marrëdhënie personale, përfshirë edhe vizitat nga anëtarët e familjes. Në përputhje me këshillat mjekësore dhe pas një fushate të suksesshme vaksinimi në Qendrat e Paraburgimit, masat COVID-19 të aplikuara në Qendrat e Paraburgimit po hiqen gradualisht dhe në mënyrë progresive”, ka thënë ekskluzivisht për Gazetën Infokus, zëdhënësja e Gjykatës Speciale, Angela Griep.





Edhe në Prishtinë, Ministria e Drejtësisë ka filluar përgatitjet e dokumentacionit për vizitat e familjarëve të atyre që po mbahen në Hagë.Madje MD sipas legjislacionit në fuqi do t’i kompensoj të gjithë anëtarët e familjes së ngushtë të të akuzuarve.

“Ministria e Drejtësisë do t’i mbështes dhe kompensoj të gjithë anëtarët e familjes së ngushtë të të akuzuarve pranë Dhomave të Specializuara të cilët e parashtrojnë kërkesën për mbështetjen e nevojshme financiare sipas Udhëzimit Administrativ MD – Nr.03/2020. Aktualisht jemi në fazën e përgatitjes së dokumentacioneve për vizitat e familjarëve të tyre”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Drejtësisë.





Në Udhëzimin Administrativ 03/2020 është përcaktuar procedura e realizimit të mbështetjes së nevojshme financiare për anëtaret e ngushtë të familjes së personave të akuzuar potencial për krimet e pretenduara në proceset gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara.Anëtarët e ngushtë të familjes konsiderohen bashkëshorti, bashkëshortja, fëmijët, fëmijët jashtëmartesor, fëmijët e adoptuar, prindërit, vëllezërit, motrat, njerka, njerku, si dhe bashkëshorti/bashkëshortja jashtëmartesore.





Sipas udhëzimit çdo person i akuzuar potencial, brenda një viti, ka të drejtë të vizitohet me mbështetje të nevojshme financiare, më së shumti nga dymbëdhjetë anëtarë të ngushtë të familjes, dhe jo më shumë se tre anëtarë të familjes për një vizitë.Anëtarit të ngushtë të familjes do t’i kompensohen shpenzimet e vizitës në kohëzgjatje prej tri ditëve, përfshirë ditën e udhëtimit dhe ditën e kthimit.





Mbështetja e nevojshme financiare për anëtarët e ngushtë të familjes së personave të akuzua potencial, kur procedurat gjyqësore zhvillohen jashtë Kosovës, përfshinë shpenzimet e ndërlidhura me udhëtimet e tyre, fjetja dhe ushqimi si deh shpenzimet administrative të ndërlidhura me udhëtimin.





Shpenzimet e udhëtimit përfshijnë biletën e aeroplanit, biletën e autobusit apo biletën e trenit, shpenzimet e taksive.Shpenzimet e fjetjes dhe ushqimit përfshijnë shpenzimet për fjetje në hotel në shumën prej tetëdhjetë Euro për një natë, shpenzimet për ushqim, në shumën prej pesëdhjetë euro për një ditë.





Shpenzimet administrative të ndërlidhura me udhëtimin përfshijnë pagesën për vizë që ndërlidhet me udhëtimin; dhe pagesën për sigurim shëndetësor që ndërlidhet me udhëtimin.Por për shkak të situatës me koronavirusin, nga kjo gjykatë kanë bërë të ditur se vizitat do të jenë të kufizuara.





“Fillimisht, do të ketë kufizime në numrin e përgjithshëm të vizitorëve të lejuar në njësinë e paraburgimit njëkohësisht. Regjistri ka qenë i angazhuar në mënyrë aktive për të optimizuar këtë numër në mënyrë që të gjithë të Paraburgosurit të mund të marrin një vizitë familjare sa më shpejt të jetë e mundur pas 15 korrikut 2021”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës për Infokus.





Zëdhënësja e Gjykatës Speciale ka njoftuar se të paraburgosurit dhe anëtarët e familjes së tyre janë informuar për situatën në lidhje me vizitat.Ndërsa për shkak të privatësisë nuk kanë dashur të japin detaje se sa persona kanë aplikuar deri më tani për të vizituar të paraburgosurit në Hagë.I pari që u arrestua nga Gjykata Speciale ka qenë ish-eprori i UÇK-së Sali Mustafa, në fund të shtatorit të vitit të kaluar.





Më pas u arrestuan edhe krerët e Organizatave të Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Ngucati dhe Nasim Haradinaj. Në Hagë po mbahen edhe anëtarët e tjerë të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi. /Gazeta Infokus/





Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *