Loading...

Sunday, November 28, 2021

Kosova gati për mërgimtarët, fluks i madh i udhëtarëve në ardhje pritet gjatë këtyre tre muajve





Ka kaluar një vit e dy muaj që nga koha kur në Kosovë janë konfirmuar rastet e para të të infektuarve me COVID-19.Si pasojë e përhapjes së këtij virusi deri tani në Kosovë kanë humbur jetën 2 mijë e 243 qytetarë. Por situata pandemike nuk preku vetëm shëndetin e shumë prej qytetarëve, por u dëmtua dukshëm edhe ekonomia e vendit.

Si pasojë e këtij virusi humbje të mëdha pati edhe në kuadër të Aeroportit të Prishtinës.Për dallim nga vitet e shkuara kur fluksi i mërgimtarëve në ardhje dhe në kthim ishte tejet i lartë, pandemia bëri që shifrat të ndryshojnë.





Numri i përgjithshëm i fluturimeve në kuadër të Aeroportit të Prishtinës ‘Adem Jashari’ gjatë periudhës janar-prill të vitit të kaluar pati ndryshime të mëdha.Në janar të vitit 2020 u realizuan gjithsej 1 mijë e 368 fluturime e ngjashëm ishte dhe në shkurt me 1 mijë e 1134.Por gjithçka ndryshoi nga muaji mars, kur fluturimet e realizuara ishin vetëm 640 duke rënë edhe më keq në muajin prill me vetëm 52 fluturime në vajtje ardhje në kuadër të këtij aeroporti.

Numri i udhëtarëve në kuadër të këtij aeroporti pati rënie të madhe.Zëdhënësja e Aeroportit të Prishtinës, Valentina Gara theksoi se në janar të vitit 2020 ishin gjithsej 183 mijë e 472 udhëtarë ndërsa në muajin prill të po këtij viti në kuadër të këtij aeroporti pati vetëm 2 mijë e 997 udhëtarë.





Por si qëndron situata në katër mujorin e parë të këtij viti.Gara ka deklaruar se numri i fluturimeve në muajin janar ishte 1 mijë e 160 fluturime, apo 15.20% më pak.“Në muajin shkurt pati 782 fluturime apo 31.04% më pak, në muajin mars pati vetëm 838 fluturime apo +30.04%, ndërsa në muajin prill pati gjithsej 740 fluturime”, tha ajo.

Gjithashtu u theksua se numri total i udhëtarëve në muajin janar ishte 134 mijë 204 ,96442 pasagjerë ishin në shkurt, ndërsa në muajin mars ishte 100.141 udhëtarë. Muajin që lamë pas apo saktësisht muajin prill në Aeroportin e Prishtinës ishin gjithsej 79.278 udhëtarë.Zëdhënësja e Aeroportit të Prishtinës, Valentina Gara bëri të ditur se tashmë ka fluks më të madh të udhëtarëve, krahasuar me muajt e kaluar.





“Po, ne kemi fluks më të madh të udhëtarëve se sa në muajt paraprak.Numrin më të madh të udhëtarëve në arritje e kemi gjatë muajve qershor, korrik dhe gusht. Duke patur parasysh se vitin e kaluar nuk kemi pasur fare fluturime (përveç atyre të riatdhesimit , ushtarake dhe fluturime mjekësore), ne këtë vit presim më shumë fluturime dhe udhëtarë se sa vitin e kaluar”, theksoi Gara.

Nga Aeroporti Adem Jashari kanë theksuar se janë marrë të gjitha masat e nevojshme si teknike ashtu edhe ato të burimeve njerëzore për të procesuar të gjithë udhëtarët dhe fluturimet gjatë sezonës verore.Duhet përkujtuar se që nga fillimi i dhënies së vaksinës në shumë vende të botës kanë filluar edhe lehtësimet sa i përket udhëtimet.

Kësisoj edhe pse në Kosovë vazhdon që situata të jetë thuajse e njëjtë, por me rënie të numrit të të infektuarve shumë prej mërgimtarëve zgjedhin që të vijnë në vendlindje, edhe pse shpesh herë iu kërkua testimi PCR, e që të njëjtit nuk hezituan që ta kryejnë vetëm e vetëm që të arrijnë në shtetin e Kosovës.Duhet përkujtuar që në tre muajt e verës është numër më i madh i mërgimtarëve të cilët zgjedhin që të vijnë pranë familjeve, qoftë përmes Aeroportit të Prishtinës, me autobusë apo edhe me vetura private nëpërmjet rrugëve tokësore.





Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *