Loading...

Sunday, November 28, 2021

Kunati i Albulena Haxhiut avancohet në Postë, nga postier bëhet zyrtar për kujdesin ndaj konsumatorëve





Shkumbin Krasniqi, vëllai i asamblistit të Lëvizjes Vetëvendosje në Malishevë, Alban Krasniqi, nga data 11 qershor do të ketë një detyrë të re në Postën e Kosovës.

Ai është avancuar nga pozita e postierit në pozitën zyrtar për kujdesin ndaj konsumatorëve.

Ky avancim ka bërë që Krasniqi të ketë rritje të konsiderueshme të pagës.

Derisa në pozitën e postierit Krasniqi kishte gradën 3 dhe një pagë prej 435 euro, në pozitën e re ai ka gradën 7 dhe do të ketë një pagë prej 835 euro.

Shkumbim Krasniqi është vëllai i Alban Krasniqit, asamblist në Komunën e Malishevës nga Lëvizja Vetëvendosje.

Alban Krasniqi është bashkëshorti i Albulena Haxhiut, ministres së Drejtësisë në Qeverinë e Albin Kurtit.

I kontaktuar nga KALLXO.com, Shkumbin Krasniqi, ka thënë se është avancuar përmes një konkursi të brendshëm.

“Unë në bazë të konkursit të brendshëm kam hy, ka qenë i rregullt konkursi, e kam kry konkursin dhe nuk ka diçka të keqe ose jashtëligjore. Unë kam punuar si postier, tani jam në Kujdesin për Konsumatorë. Avancimi im është bërë para një viti kur është kërku për atë detyrë, pastaj kam vepru si u.d. për dy herë nga 6 muaj deri sa është hapur konkursi i brendshëm dhe e kam kry konkursin në mënyrë të rregullt”, tha Krasniqi.

Ai e ka pranuar se pas avancimit do të marrë një pagë më të madhe.

“Rrogën më herët e kam pasur si postier 470 euro neto ndërsa tani e kam 710 apo 712 euro neto”, ka thënë Krasniqi.

Shumbin Krasniqi në Facebook ka publikuar postime të cilat lidhen me Lëvizjen Vetëvendosje, pjesë e së cilës është edhe vëllai i tij Albani.





“Çka ka rëndësi kjo, unë që 15 vite punoj në Postë. Nuk ka lidhje a është Vetëvendosje në pushtet apo jo, konkursi ka qenë si duhet, puna duhet me u kry qysh duhet”, tha tutje ai.

Por, Shkumbin Krasniqi e ka pranuar se në të kaluarën politika e ka penguar në avancim.

“Unë faktikisht më herët kam qenë i degraduar për shkak të politikës, nuk më kanë dhënë atë që kam merituar. Tash (kontrata e re) kjo nuk është arritur politikisht por ajo që meritoj, kam përvojë kam punuar nuk ka diçka tjetër”, shton ai.

Shkumbin Krasniqi tregoi se edhe në kohën e qeverisjes Hoti ka qenë ushtrues detyre i drejtorit të Zyrës për Kujdesin e Konsumatorëve në Postën e Kosovës.

Kontrata e re e Krasniqit është nënshkruar nga Rafet Jashari i emëruar si u.d. kreshef nga bordi i përkohshëm i kësaj ndërmarrjeje që është zgjedhur nga Qeveria Kurti. Jashari është emëruar si ushtrues detyre i kryeshefit më 3 qershor të vitit 2021.Krasniqi thotë se konkursi i brendshëm përmes të cilit është avancuar është shpallur dhe janë kryer procedurat e rekrutimit para se Jashari të vinte në pozitë.

“Avancimi im është bërë para një viti kur është kërkuar për atë detyrë dhe pastaj kam vazhduar nga gjashtë muaj nga dy herë si u.d., deri sa është hapur konkursi i brendshëm dhe pastaj konkursin e kam kryer në mënyrë të rregullt. Nuk e di saktë kur është nënshkruar kontrata, datën, mirëpo konkursi ka qenë këtë vit. Dy herë ma kanë anulu konkursin më herët”, tha Krasniqi.





KALLXO.com ka kontaktuar edhe me asamblistin në Komunën e Malishevës në radhët e LVV-së, Alban Krasniqin.

Ai ka thënë se nuk ka gishtë në avancimin e vëllait në Postën e Kosovës.

“Nuk kam lidhje për këtë punë. Me vllazën jemi ndarë me vite dhe nuk di, angazhimet që kanë merru me ta. Nëse ki dyshimin më të vogël mikroskopik që unë pasna ndiku në këtë, atëherë mundesh me mu drejtu përndryshe është edhe fyese. Unë jam asamblist, më leni ta jetoj jetën time”, tha Krasniqi.

Krasniqi ka thënë se nuk ka lidhje nëse dikush është aktivist dhe avancohet në pozitë duke tërhequr vërejtje se përgjigjet e tij nuk duhet të publikohen.

Ai ka thënë se mund të kontaktohet vetëm nëse kemi dyshime se ka ndikuar në avancim të vëllait, gjë që sipas ti nuk qëndron.

“Këtë që po e them nuk ke të drejtë me transmetu askund. Çka ka lidhje që është aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje. A është kriminale me qenë aktivist. Mu po më kushton që jam aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje”, ka thënë ai.

“Është fyese kjo që po pyetni. Nëse ke dyshime mundesh me më thirrë nëse nuk ke dyshime nuk po më intereson as çka ka bërë. Nuk ke të drejtë me më thirrë për këtë çështje”.

Në fund ai kërkoi që asnjë pjesë e bisedës të mos transmetohet.

“Ti nuk ke të drejtë këtë bisedë me transmetu askund sepse po të tregoj përbën shkelje të Kodit Etik gazetaresk dhe Penal në marrjen e informacioneve pa lejen e palëve. Unë veç po të kallxoj, nëse emri jem del qaty unë me gjyq ka me qu, ja argumentoma që kam ndiku diku”, vazhdoi Krasniqi.

Shkumbin Krasniqit ishte njëri nga të avancuarit me nënshkrimin e ushtruesit të Detyrës së Kryeshefit Ekzekutiv të Postës së Kosovës, Rafet Jashari.

Ai është avancuar përmes konkursit të brendshëm që ishte shpallur gjatë vitit 2021.

Përveç tij, me vendim të kryeshefit janë avancuar edhe katër punëtorë të tjerë të Postës së Kosovës.

Në një vendim që ka siguruar KALLXO.com, konkursi është i datës 2 prill të vitit 2021 ndërsa vendimi është marrë më 24 maj 2021, pak ditë para shkarkimit të ish- kryeshefit Xhevdet Smakiqi.

Madje në po të njëjtin vendim tregohen emrat e kandidatëve të avancuar. Nga katër kandidatët e këtij konkursi vetëm Veton Morina ka 88.83 për qind të pikëve të fituara, ndërsa të tjerët kanë më pak se 80 për qind, Sami Maqedonci ka 77.83, Liridon Mirena 71.17 dhe Samir Kelani 67.17.Njëri nga të avancuarit Veton Morina, në llogarinë personale në Facebook, ka të publikuar fotografi në përkrahje të Partisë Demokratike të Kosovës. Fotografi deri sa shihet në prezencë të udhëheqësve të PDK-së, ka edhe ushtruesi i detyrës së kryeshefit të Postës, Rafet Jashari. Në faqen e PDK-së Dega Vetërnik në Prishtinë, në vitin 2017 shihet në fotografi me deputetin e PDK-së, Elmi Reçica me përshkrim “Fillimi i ri” ish-slogan i PDK-së në atë kohë.

Rafet Jashari, ud Kryeshef i Postës së Kosovës dhe Elmi Reçica, deputet i Kuvendit të Kosovës nga PDK-ja.

Morina nuk i është përgjigjur telefonatave dhe mesazheve të KALLXO.com kur është kontaktuar për të komentuar avancimin e tij. KALLXO.com ka kontaktuar me kryesuesen e bordit, Safije Besenin. Ajo ka thënë se thënë se katër persona janë avancuar me nënshkrim të ushtruesit të detyrës së kryeshefit, porse procesi i avancimit ka nisur në fillim të vitit 2021.

“Z. Jashari ka nënshkruar 4 kontrata të punëtoreve nga Drejtoria e Kontrollit të Brendshëm . Këta zyrtarë kanë qenë te avancuar në janar 2021 dhe kanë pasur vendim te aprovuar nga KE në atë kohë Z.Xhevdet Smakiqi”, ka thënë ajo.

Kryetarja e bordit ka thënë se grada e punëtorëve të avancuar nuk ka ndryshuar.

“Po ashtu duhet te ceket se te njëjtëve nuk i ka ndryshuar grada por vetëm janë avancuar në pozitë”, ka thënë Beseni.

Por, KALLXO.com i ka siguruar kontratat e nënshkruara nga kryeshefi Rafet Jashari.

Personat e avancuar do të kenë gradën 7, apo një pagë prej 835 euro. Ndërsa, personat e avancuar në të kaluarën kanë pasur grada më të ulta.

Pas përgjigjeve të pranuara nga Beseni, KALLXO.com ka dërguar sërish pyetje te menaxhmenti i Postës dhe te kryetarja e bordit, Safije Beseni duke kërkuar sqarime për gradat që kanë pasur punëtorët para se të avancoheshin.

Deri në publikimin e artikullit menaxhmenti dhe bordi i Postës së Kosovës nuk kanë kthyer përgjigje.Beseni ka thënë se informatën për avancim të punëtorëve e ka pranuar nga pyetjet e KALLXO.com.“

Jo nuk kam kam ditë, pas emailit tuaj u interesuam”, ka thënë ajo duke shtuar se personat e avancuar në të kaluarën kanë pasur pozita të ndryshme.

KALLXO.com vazhdimisht për të gjitha gjetjet ka kërkuar sqarime edhe nga ana e u.d. të kryeshefit të Postës së Kosovës, Rafet Jashari, për emërimet.

“Te gjitha informatat që po i kërkoni i merrni nga kryesuesja e bordit te drejtoreve të Postës së Kosovës sh.a.”, ka qenë një përgjigje e shkurtër e tij për KALLXO.com ndërsa në asnjë moment nuk ka qenë i qasshëm në mesazhet dhe telefonatat në lidhje me avancimet apo gradimet e punëtorëve. /kallxo.com/





Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *