Loading...

Sunday, December 05, 2021

Kurti ia thur ca lavde vetes: Që nga marsi punuam pa ndalur

Që nga marsi i këtij viti kur qytetarët në mënyrë masive na dhanë besimin dhe përgjegjësinë për të qeverisur, bashkë me juve kemi punuar pa ndalur për të vendosur një standard të ri të qeverisjes në vend. Komisioni shtetëror për rini është një tjetër hap drejt atij standardi”, tha kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti në hapje të takimit të parë të Komisionit Shtetëror për Rini.

Kryeministri tha se duhet një qasje gjithëpërfshirëse drejt rinisë që i ndihmon të zhvillojnë njohuritë dhe shkathtësitë, të gjejnë vendin dhe misionin e tyre në shoqëri, të jenë aktiv dhe të shëndetshëm, por edhe kontribuues në shoqëri.





“Në ministritë tuaja ju keni për detyrë t’i jepni vëmendje të veçantë vendimeve që ndikojnë tek të rinjtë si dhe t’i shtyni përpara politikat që përcaktohen si prioritete. Dhe deri në fund të mandatit, ne presim që nën drejtimin tuaj, me përfshirjen e drejtpërdrejtë dhe të plotë të të rinjve, qeveria jonë të ketë në zbatim një strategji të re kombëtare dhe transformuese për rininë”, u tha kryeministri anëtarëve të Komisionit, që kryesohet nga zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani.





Komisioni Shtetëror për Rini, është emëruar në mbledhjen e 24-të të Qeverisë së Republikës së Kosovës, me qëllim të përmirësimit të jetës së të gjithë të rinjve, me mbështetje ndër-institucionale drejt rezultateve konkrete.

Fjala e plotë e kryeministri Kurti:Faleminderit, zëvendësministrja Osmani,Mirëdita anëtarë të Komisionit dhe përfaqësues të sektorit rinor.Që nga marsi i këtij viti kur qytetarët në mënyrë masive na dhanë besimin dhe përgjegjësinë për të qeverisur, bashkë me juve kemi punuar pa ndalur për të vendosur një standard të ri të qeverisjes në vend. Komisioni shtetëror për rini është një tjetër hap drejt atij standardi.





Qëllimi është që qeveria të bashkojë forcat, që në çdo vendim e në secilin sektor të garantojmë më shumë barazi, zhvillim e mirëqenie për brezat e rinj.Në programin qeverisës kemi përfshirë politika në shërbim të të rinjve, por ato nuk realizohen lehtë vertikalisht brenda kufijve të shtyllave ministrore. Në shërbim të kësaj ju tashmë jeni veshur me rolin e zëvendësministrit për rini në kuadër të sektorëve tuaj, por me vendimmarrje dhe obligime horizontale karshi rinisë.





Duhet një qasje gjithëpërfshirëse drejt rinisë që i ndihmon të zhvillojnë njohuritë dhe shkathtësitë, të gjejnë vendin dhe misionin e tyre në shoqëri, të jenë aktiv dhe të shëndetshëm, por edhe kontribuues në shoqëri.Në veçanti në programin tonë qeverisës ne jemi zotuar për lidhjen e tregut të punës me arsimimin profesional, në mënyrë që ta urëzojmë hendekun e shkathtësive, ashtu që të rinjtë kur ta mbarojnë fakultetin të kenë edhe një vend pune adekuat që lidhet me vitet dhe fushat e studimit.





Çdo përpjekje për të rritur mirëqenien tonë kolektive duhet të synojë mbushjen e çdo të riu me një entuziazëm për të ardhmen që e pret në Kosovë dhe me një garanci se ata mund të krijojnë familje dhe të ndërtojnë të ardhmen këtu në vendin e vet.

Në ministritë tuaja ju keni për detyrë t’i jepni vëmendje të veçantë vendimeve që ndikojnë tek të rinjtë si dhe t’i shtyni përpara politikat që përcaktohen si prioritete. Dhe deri në fund të mandatit, ne presim që nën drejtimin tuaj, me përfshirjen e drejtpërdrejtë dhe të plotë të të rinjve, qeveria jonë të ketë në zbatim një strategji të re kombëtare dhe transformuese për rininë.





Komisioni shtetëror për rini është një rekomandim ndërkombëtar i politik-bërjes për rininë që në pak shtete të botës është, andaj edhe pritet që ky mekanizëm të hapë mundësi shtesë për arritje të mëdha. E në qendër të këtij komisioni duhet të vendosim brezat e rinj, jo vetëm sepse është përgjegjësi, por sepse është interesi ynë më i lartë shtetëror, sepse çdo arritje tjetër zbehet nëse si ndihmojmë ata ta realizojnë potencialin e tyre, këtu në Kosovë.

Mbështetja ime është e plotë, siç është edhe interesimi im për suksesin tuaj. Pasi që vet ju kam emëruar, e di përgatitjen tuaj profesionale, prandaj edhe pritjet janë të mëdha. Suksese.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *