Loading...

Wednesday, December 01, 2021

Kurti vazhdon me premtime edhe pas 100 ditësh, zotohet për mbi 1.1 miliard euro investime në ekonomi





Qeveria e Kosovës është mbledhur sot kur shënohen 100 ditë që prej ardhjes në pushtet.Kryeministri i vendit, Albin Kurti në raportimin e tij tha se janë marrë 144 vendime dhe janë kaluar një sër projektligjesh të rëndësishme, shkruan lajmi.net.

Kurti lavdëroi në masë të madhe menaxhimin me pandeminë, për të cilin tha se ka qenë shumë i suksesshëm në bazë të statistikave.





“Ne kemi marrë 144 vendime dhe kemi kaluar projektligje dhe dokumente të rëndësishme që kanë hedhur themelet për shtet të drejtë e zhvillimor. Ne thamë se prioritet kryesor është menaxhimi i pandemisë në mënyrë që të shpëtojmë jetë njerëzish që po humbnin si pasojë e keq-qeverisjes. U zotuam se do të sjellim një strategji që të ndalet trendi i vdekjeve dhe rasteve të reja. Dhe së dyti që të sigurojmë vaksina sa më shpejtë. Ditën kur e pranuam detyrën kishim 731 raste dhe 17 vdekje, kurse sot kemi nëntë raste të reja dhe asnjë vdekje. Nuk gjetëm asnjë vaksinë dhe asnjë kontratë të vaksinave, ndërsa sot kemi 2 milionë vaksina të siguruara ndërsa 400 mijë kanë arritur. Gjendja me pandeminë është përmirësuar dukshëm teksa rastet janë ulur për 99%. Ky është sukses të cilit duhet t’i gëzohemi të gjithë pasi që jemi të sigurtë të takohemi me njëri tjetrin dhe të ecim në natyrë”, ka thënë Kurti.





Kurti tutje tha se planifikohen investime për drejtësi dhe vende të reja të punës.Ai tha se sipas tij, ekonomia i është përgjigjur pozitivisht politikave qeverisëse.

“Suksesi mund të merret si diçka e garantuar pasi që situata me pandeminë është përmirësuar. Raportojmë se pandemia është menaxhuar me sukses dhe vaksinat janë siguruar dhe me këtë rast janë përmbushur dy premtimet bazë ndaj qytetarëve. Pandemia ende nuk ka kaluar. Rreziku ende nuk ka kaluar dhe ne duhet të sillemi me sukses. Pas pandemisë janë dy tema, për të cilat qytetarët na kanë votuar, e ato janë drejtësi dhe punë. Në këto 100 ditë ekonomia i është përgjigjur pozitivisht qeverisjes sonë, ku të hyrat buxhetore janë rritur për 30 %”, tha ai.





Ai tha se kontributi në ekonomi do të jetë 1.1 miliard euro, prej të cilave 50 milionë do të jenë për vendet e reja të punës, 180 milionë për eksportin, 112 milionë për shërbimet publike.

“Sipas buxhetit, projektohet rritje prej 7.9 për qind. Ky nivel parashihej të arrihej vetëm në vitin 2023. Ky ndryshim na jep pritje se ditë më të mira po na presin. Optimizmi dhe shpresa e qytetarëve janë faktorët kryesor. Buxheti i rishikuar ka mundësuar edhe dizajnimin e një pakoje të re ekonomike që parasheh kontribut në ekonomi prej 1.1 milardë euro. Një pjesë e tyre janë të përqendruara, 50 milionë për vendet e punës, 180 milionë për eksportin, 112 milionë për shërbimet publike, 50 milionë për familjet”, tha kryeministri.





Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *