Loading...

Tuesday, December 07, 2021

Mbyllet zyra e veteranëve, Kurti dhe Hoti bartin ‘fajin’ tek njëri tjetri

Zyra për Veteranët e Luftës së UÇK-së në Zyrën e Kryeministrit, tash e tre muaj është mbyllur dhe kategoritë e dala nga lufta nuk po mund të marrin shërbimet të cilat u takojnë me ligj, shkruan Gazeta Infokus.





Në seancën parlamentare të së enjtes, kryeministri Albin Kurti, fajin për mos funksionimin e kësaj zyre, ia hodhi pararendësit të tij Avdullah Hotit. Ai tha se fajin për këtë mos funksionim të kësaj zyre e ka rregullorja e re, të cilën qeveria Kurti e ka trashëguar nga ajo e kaluara.Kurti ka premtuar se më së largu deri në fund të këtij muaji kjo zyre do të rifunksionalizohet në tërësi.





“Sa i përket funksionalitetit të zyrës për çështje të kategorive të dala nga lufta fatkeqësisht rregullorja e re të cilën na e ka lënë qeveria e kaluar na ka shkaktuar probleme të shumta e ne megjithatë jemi në fazën e fundit të rregullimit të tyre. Kjo përfshinë edhe funksionalitetin e zyrës në fjalë pra zyrës për çështje të kategorive të dala nga lufta çlirimtare, e cila brenda këtij muaji, pra muajit qershor do të rifunksionalizohet në tërësi”, ka thënë kryeministri Albin Kurti, në seancën e djeshme të Kuvendit të Kosovës.





Kësaj deklarate të kryeministrit iu kundërvu ish kryeministri Hoti, i cili ka reaguar duke thënë se është ruajtur statusi i veçantë në kuadër të rregullores për Zyrën e Kryeministrit nga qeveria paraprake dhe se çdo deklarim tjetër për këtë çështje nuk është i vërtetë.





“Sqarim: “Zyrës për kategoritë e dala nga lufta” në kuadër te Zyrës se Kryeministrit i është ruajtur statusi i veçantë në kuadër të “Rregullores për Zyrën e Kryeministrit” të miratuar nga Qeveria paraprake, ashtu siç ka qenë që nga themelimi i kësaj zyreje. Çdo deklarim tjetër nuk është i vërtetë. Për më tepër, gjatë qeverisjes tonë nuk ka munguar edhe mbështetja e nevojshme për këtë kategori të shoqërisë tonë”, shkroi të enjten Avdullah Hoti, në rrjetin social Facebbok.





Hedhja e fajit sa nga njëri tek tjetri ndërmjet Hotit e Kurtit, është i pa kuptimtë për Kryetarin e Shoqatës së Veteranëve dhe Invalidëve të luftës, Faton Klinaku. Ai ka thënë për Gazetën Infokus se kryeministri duhet ta funksionalizoi këtë zyre dhe se nuk ka nevojë ta hedhin topin tek njëri tjetri.





“Ai ashtu na është arsyetuar edhe ne se kjo zyrë nuk është duke funksionuar si pasojë e asaj rregullore, por ai zyrën nuk duhet ta mbaj të mbyllur, por ose ta funksionalizoi përmes asaj rregullore, ose ta caktojë këshilltarin e kryeministrit për kategoritë e luftës që ta funksionalizoi zyrën dhe nuk kanë nevojë ta hedhin topin tek njëri tjetri”, tha Klinaku.





Klinaku ka thënë se mos funksionimi i kësaj zyre, po u shkakton telashe të mëdha atyre dhe në veçanti kategorive që kanë nevoja të ndryshme që të pajisen me vërtetime të kësaj zyre, kur dihet se nëse një veteran ka ndërruar jetë, atëherë bashkëshortja e tij nuk mund t’i gëzoj benefecionet që i takojnë me ligj pa atë vërtetim, ose rasti tjetër kur fëmijët e kategorive të dala nga lufta duan të regjistrohen në fakultet nuk mund t’i gëzojnë benefitet e UP-së, pa vërtetimin i cili lëshohet vetëm nga Zyrja për Veteranët e Luftës së UÇK-së që funksionon në kuadër të Zyrës së Kryeministrit.





“Ne edhe në takime që i kemi pasur, e kemi shprehur këtë shqetësim, sepse veteranët e luftës, fëmijët e tyre, po vijnë te ne për të kërkuar vërtetimet, por ato duhet të merren nga ajo zyre, që të mund të përfitojnë beneficionet që i kanë me ligj. Ka raste kur pas vdekjes së veteranit, bashkëshortja e tij nuk mundur ta gëzojë pensionin për shkak të një vërtetimi që duhej lëshuar nga ajo zyre. Ka edhe fëmijë të veteranëve që ato vërtetime u duhen për fakultet dhe me të vërtetë është absurde që kjo zyre nuk hapet deri më tani”, ka thënë për Gazetën Infokus Faton Klinaku.





Klinaku duke e komentuar deklaratën e kryeministrit Kurti se deri në fund të këtij muaji do të rifunksionalizohet kjo zyre, ka thënë se ai një gjë të tillë është duke e thënë tash e sa kohe, madje në të gjitha takimet që ata i kanë pasur së bashku, ai gjithnjë u ka thënë se zyra do të funksionalizohet brenda dy javësh, por që një gjë e tillë nuk ka ndodhur edhe sot e kësaj dite.





Ndërkaq Gazmend Syla, ish këshilltari politik për kategoritë e luftës dhe ish udhëheqës i Zyrës për Veteranët e Luftës së UÇK-së në kuadër të Zyrës së Kryeministrit në kohën e qeverisjes së Ramush Haradinajt, në një prononcim për Gazetën Infokus ka thënë se kjo çështje mund të zgjidhet lehtë.





“Mjafton që kryeministri Kurti ta emëroi një këshilltarë për kategoritë e luftës dhe ai pastaj automatikisht është edhe udhëheqës i asaj zyre, e që pa asnjë problem mund të ofrojë shërbimet e nevojshme për kategoritë e luftës, përfshirë vërtetimat. Çështje tjetër është pastaj stafi mbështetës i zyrës se në çfarë forme rekrutohet dhe se si rregullohet mënyra e rekrutimit të tyre”, ka thënë Gazmend Syla.





Syla po ashtu ka thënë se në kohën sa ishte ai në udhëheqje të asaj zyre, stafi rekrutohej me Kontratë për Shërbime të Veçanta dhe ishin familjarë të dëshmorëve dhe invalidëve të luftës, por që shërbimet për kategoritë e luftës nuk është se nuk mund t’i ofrojë edhe vet udhëheqësi i zyrës./Gazeta Infokus/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *