Loading...

Tuesday, December 07, 2021

Milionat që figurat publike ia kërkuan shtetit, pasi u shpallën të pafajshëm

Për shkak të aktakuzave të pabazuara dhe vendimeve gjyqësore të kontestuara, qindra qytetarë të Kosovës janë privuar nga liria, në mesin e tyre edhe figura publike të fushave të ndryshme. Disa u janë drejtuar edhe gjykatave për të kërkuar të drejtën e tyre, ndërsa shteti mund të humbë miliona euro për shkak të kësaj. Kjo, sepse buxheti i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, (KGJK) është i limituar, pasi fondi i ndarë nga Qeveria e Republikës së Kosovës për kategorinë e personave të dënuar ose arrestuar pa arsye, ka qenë dhe është 500 mijë euro.





Figurat politike, si Fatmir Limaj, Sami Lushtaku dhe ish-guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Hashim Rexhepi e të tjerë, kanë kërkuar miliona euro dëmshpërblim nga shteti i Kosovës pasi u shpallën të pafajshëm në procese gjyqësore. Por, kompensimet për ta ende nuk janë realizuar, raporton Demokracia.com.

Avokatët thonë se po presin seancat gjyqësore, derisa buxheti i KGJK-së për këtë kategori nuk është i mjaftueshëm.Këta nuk janë personat e vetëm që kanë qëndruar “pa faj” në paraburgim.Nga ana tjetër, 7 milionë euro është shuma që Fatmir Limaj kërkon nga shteti për procesin gjyqësor ndaj tij në rastin “Kleçka”.





Përballja e tij tri herë radhazi me drejtësinë, në të cilin rast akuzohej për krime lufte gjatë vitit 1999 dhe vërtetimi i pafajësisë, ka bërë që Limaj gjatë viti 2016 të kërkoj kompensim dëmi nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës. Por, në vitin 2017, Limaj kishte ngritur padi në Gjykatën Themelore kjo pasi që oferta e Komisionit për Kompensim të dëmit nga KGJK u refuzua pasi ishte një vlerë rreth 7 mijë euro, shifër kjo që u cilësua si ofertë simbolike nga ana e Limajt dhe nuk arrinte as 1 përqindëshin nga shuma prej 7 milionë që kishte kërkuar.





I pyetur nga Demokracia.com në lidhje me dëmshpërblimin avokati i Limajt, Tahir Rrecaj tha se ende nuk është mbajtur asnjë seancë, edhe pse tashmë ka mbi tre vite që e kanë dorëzuar padinë në gjykatë.Rrecaj tha se janë në pritje të thirrjes nga gjykata për kërkesën e tyre.

“Ende nuk është marrë lënda në punë edhe pse kanë kaluar më shumë se 3 vjet, jemi në pritje të njoftimit prej gjykatës, nuk është marrë dëmshpërblimi,“ tha Rrecaj për Demokracinë.Kompensim financiar prej 1.4 milionë euro, ka kërkuar edhe Sami Lushtaku, ish-komandant i UÇK-së dhe ish-kryetar i Komunës së Skenderajt.





Ai është shpallur i pafajshëm në rastin “Drenica”, por para marrjes së këtij vendimi nga Gjykata Supreme, Lushtaku ka vuajtur katër vite burgim, raporton Demokraica.com.

Duke marrë parasysh që është shpallur i pafajshëm, avokati i tij Arianit Koci me 20 nëntor të vitit 2018, kishte bërë kërkesë për marrëveshje për kompensim financiar me KGJK-në.Në një përgjigje për Demokracia.com, vet Sami Lushtaku ka thënë se ende nuk i është dhënë dëmshpërblimi.





“Nuk ka dëmshpërblim që më paguan për 4 vite, që unë kam qëndruar padrejtësisht në burg, as familjes time dhe as mua. Jo nuk kam marrë, ende po presim, ta shohim,“ ka thënë Lushtaku, përcjellë Demokracia.

Duke thënë se pa të drejtë ishte mbajtur në paraburgim, ish-guvernatori i BQK-së Hashim Rexhepi, e ka paditur Këshillin Gjyqësor të Kosovës, nga i cili institucion kërkon kompensimin e dëmit material dhe jo material.

Rexhepi gjatë vitit të kaluar ka kërkuar mbi një milionë e gjysmë euro dëmshpërblim nga shteti i Kosovës, raporton Demokracia.com.





Ndërsa, në vitin 2019 avokati Tomë Gashi, ka kërkuar një kompensim në shumën prej 25 milionë e 530 mijë eurove, për kompensimin e gruas dhe dy vajzave të Hamdi Sopës, të cilat u mbajtën në paraburgim për 177 ditë, nën akuza se kanë vrarë babain dhe bashkëshortin.

Shuma e shpenzuar nga KGJK për 188 persona, sipas të dhënave zyrtare që i ka siguruar Demokracia.com, gjatë vitit 2019 ka qenë 455 mijë euro. E në vitin e 2020 për 95 persona, janë shpenzuar 217 mijë 884 euro.

Sipas zëdhënëses së KGJK-së, Aishe Qorraj, prej fillimit te vitit 2021 e deri me tani kompensim financiar nga KGJK kanë kërkuar 76 persona, ndërsa shuma e shpenzuar për të gjithë këta persona është 188 mijë e 736 euro.





Përkundër faktit se me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe me ligjet respektive të Këshilleve, pavarësia financiare e KGjK-së dhe KPK-së nuk do të duhej të diskutohej, në praktikë rezulton se ende propozimet për buxhet të KGjK-së dhe KPK-së, kalojnë përmes Ministrisë së Financave drejt Kuvendit të Kosovës.

Edhe pse ka pasur rritje të vazhdueshme të buxhetit të ndarë për Këshillin Gjyqësor dhe atë Porkurorial, asnjëherë atyre nuk u është ndarë buxheti i kërkuar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *