Loading...

Tuesday, December 07, 2021

Ndërlikohet dialogu Kosovë-Serbi/ Ish-diplomati britanik: Përfshihet çështja e një shteti tjetër, largohet nga skena një aktor i jashtëm

Less: Kurti do të vihet nën presion nga SHBA dhe evropianët për të bërë lëshime
Dialogu i ndërprerë i Kosovës me Serbinë pritet të vazhdojë para fundit të qershorit. Këtë e kanë konfirmuar muajin e kaluar përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri i Bashkimit Evropian, Josep Borrell dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti, në një konferencë të përbashkët për medie në Bruksel, në kuadër të vizitës së parë zyrtare të kryeministrit të Kosovës në kryeqendrën evropiane.

Por, shanset për një marrëveshje përfundimtare mes të dyja shteteve, i sheh të dobëta dhe në rënie ish-diplomati britanik në Bosnje e Hercegovinë Timothy Less.Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, Less ka thënë se ky proces po ndërlikohet, pasi tani sipas tij, zgjidhja e statusit të Kosovës nuk ka të bëjë më vetëm me Serbinë dhe Kosovën, por edhe me Bosnjën.

“Unë mendoj se shanset për një marrëveshje janë të dobëta dhe në rënie. Çështja është e ndërlikuar nga pala serbe nga fakti që zgjidhja e statusit të Kosovës nuk ka të bëjë më vetëm me Serbinë dhe Kosovën, por edhe me Bosnjën. Kjo do të thotë, derisa të huajt të përgatiten të vendosin statusin e Republika Srpska në tryezë, Serbia do të refuzojë të diskutojë statusin përfundimtar të Kosovës dhe në vend të kësaj të kufizojë përqendrimin e saj në çështje të rendit të dytë siç është autonomia për serbët në Kosovë”, ka thënë Less.

Udhëheqësi i projektit “Studimet e Shpërbërjes” të Qendrës për Gjeopolitikë dhe Strategji në Universitetin e Cambridge, ka treguar se pse nuk është në interesin e kryeministrit Kurti, që të përfshihet në dialog.

“Perspektivat për një marrëveshje ndërlikohen më pas nga fakti se Kurti, ashtu si paraardhësit e tij, nuk ka asnjë arsye për të bërë ndonjë lëshim ndaj Serbisë pa një garanci të njohjes, i sigurt në dijeninë se ai është i imunizuar nga rreziku i ekstradimit në Hagë. Në fakt, nuk është as në interesin e tij që të përfshihet në dialog pasi ai do të vihet nën presion nga SHBA dhe evropianët për të bërë lëshime”, është shprehur më tej ish-diplomati për “Bota sot”.

Ai është shprehur i befasuar se SHBA-ja ia ka transferuar Evropës çështjen e Kosovës, duke thënë se kishte menduar që Administrata e Joe Bidenit, do t’i jepte përparësi më të madhe Kosovës.Ai parashikon që çështja e statusit të Kosovës mund të zvarritet edhe për disa vite.

“Për t’i komplikuar gjërat më tej, Administrata e Bidenit duket se ka vendosur jashtë debatit Kosovën, duke ia transferuar çështjen evropianëve. Në proces, një aktor i jashtëm i aftë për t’i sjellë çështjet në një lloj zgjidhjeje, është larguar nga skena. Duhet ta pranoj, jam i befasuar nga ky zhvillim, sepse mendova se Administrata e Bidenit do t’i jepte përparësi më të madhe çështjes së Kosovës për të nxjerrë Kinën dhe Rusinë nga Serbia.

Sidoqoftë, unë mendoj se llogaritja e Uashingtonit është se Kosova mund të mbetet në harresë dhe e gjithë çështja e statusit zvarritet edhe për disa vite për sa kohë që nuk ka konflikt aktual në terren”, ka thënë Timothy Less për gazetën “Bota sot”./Botasot(Intervistën e plotë me Timothy Less mund ta lexoni nesër në gazetën kombëtare “Bota sot” online)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *