Loading...

Saturday, January 22, 2022

Paralajmëron juristi nga Belgjika: Ky është rreziku më i madh për kryeministrin Kurti???





Juristi: Nuk do të jetë lehtë që kryeministri Kurti ta rivendosë dialogun në binarë normal
Javën e kaluar partitë politike opozitare, LDK-ja dhe AAK-ja kanë bërë me dije se e mbështesin procesin e dialogut Kosovë-Serbi, por sipas tyre, unifikimi i spektrit politik në Kosovë lidhur me dialogun varet nga Qeveria e Kosovës dhe kryeministri, Albin Kurti.

E sot kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se bashkëpunimi dhe koordinimi midis Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, rreth procesit të dialogut midis Kosovës dhe Serbisë, “është i mirëseardhur, sepse është i domosdoshëm”.Kurti i bëri komentet në një takim me përfaqësuesin e posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, dhe me të dërguarin e posaçëm të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Mattheë Palmer.

Për të folur lidhur me dialogun, dhe gjasat që të arrihet një marrëveshje mes dy vendeve, “Bota sot”, ka folur me njohësit e çështjeve juridike.Juristi që jeton dhe vepron në Bruksel të Belgjikës, Skënder Musliu, në një prononcim dhënë për gazetën “Bota sot” ka thënë se përkundër se Bashkimi Evropian është e interesuar ta ndihmojë apo lehtësojë dialogun Kosovë – Serbi, mirëpo gjer më tani BE-ja, jo vetëm që nuk arriti ta avancojë dialogun, por e futi atë në një “qorr sokak”.

“E futi në “qorr sokak” duke pranuar që të bisedohet për ndarjen e Kosovës. Që nga fillimi qasja ndaj dialogut ka qenë jo transparente, me gabime në kaskadë, me takime zyrtare dhe sekrete të Thaçit dhe Vuçiqit, ku është biseduar për ndarjen e Kosovës apo shkëmbim territoresh. Vizita e të dërguarit special të BE-së, zotit Lajçak dhe zëvendës i ndihmësit të Sekretarit Amerikan të Shtetit, zotit Palmer, në Kosovë, do të jetë një tentativë për t’i dhënë një impuls shtesë këtij procesi. Takimet e dy diplomatëve të nivelit të lartë, respektivisht me presidenten Osmani, kryeministrin Kurti dhe kryediplomatën Gërvalla është në funksion të përgatitjeve për takimin e parë mes Kurtit dhe Vuçiq, që tregon seriozitetin e kësaj vizite dhe qasjen e re ndaj dialogut, që nuk ishte rast me Thaçin”, ka thënë Musliu.Sipas juristit Musliu, përkundër vullnetit dhe përpjekjeve për përafrimin e qëndrimeve mes Kosovës dhe Serbisë, kjo nuk do të ndodh shpejt.

“Kjo nga fakti se vitin e ardhshëm në Serbi mbahen zgjedhjet presidenciale dhe Vuçiqi nuk është i interesuar të rrezikojë mundësinë edhe për një mandat tjetër. Së fundmi, kjo është vërejtur nga deklaratat në Këshillin e Përgjithshëm të partisë së tij, se Serbia nuk do ta njeh Kosovën dhe se ai nuk do të nënshkruaj një akt të tillë, që janë deklarata për konsum të brendshëm dhe në funksion të fushatës presidenciale dhe asgjë më tepër. Madje, Vuçiqi bënë çmos për ta forcuar pozicionin negociues, kjo vërtetohet me faktin se Serbia është duke zhvilluar stërvitje ushtarake me trupat e ushtrisë ruse. Po ashtu nuk duhet harruar se Vuçiqi dhe kryeparlamentari Daçiq kanë qenë ministra në Qeverinë e Serbisë në kohën e Millosheviqit, si dhe Serbia ka përkrahjen e pa rezervë të Rusisë, prandaj nuk do të jetë lehtë që kryeministri Kurti ta rivendosë dialogun në binarë normal”, ka thënë më tej ai.

Madje, ai është i mendimit se pas këtyre ngjarjeve nuk do të ketë shkëmbim dhe ndarje të territoreve, mirëpo gjykon se për Serbinë kompromisi është formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe me kompetenca ekzekutive.
“Me fitoren eventuale të Vuçiqit, që nuk dyshohet, do të mund të fillojnë bisedimet serioze për arritjen e një marrëveshje, por sipas Serbisë, me kushte. Serbia e din shumë mirë se Kosovën e ka humbur një herë e përgjithmonë, mbase asnjëherë nuk ka qenë saj, mirëpo Vuçiqi gjithnjë ka deklaruar se pa kompromise, nuk ka Marrëveshje. Kjo kërkesë për Kosovën është e papranueshme, sepse kjo do të nënkuptonte formimin e “Republikës serbe”, që do ta defunksionalizonte shtetin e Kosovës, do ta destabilizonte Rendin Kushtetues, dhe do të ishte hapi i parë për ndarjen e Kosovës, që serbet e Veriut do ta bënin përmes një referendumi. Prandaj, kryeministri Kurti, ka obligim të veprojë konform vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila Asociacionin me kompetenca ekzekutive e shpalli si akt antikushtetues”, tha ai.

Opsion tjetër sipas Musliut është se nëse Serbia nuk arrin formimin e Asociacionit, ajo do të tentojë që arritjen e një marrëveshje me Kosovën, ta kushtëzojë me bashkëngjitjen e Republikës serbe të Bosnjës, Serbisë.
“Mirëpo kjo nuk është e mundur, sepse do të hapej kutia e Pandorës, respektivisht efekti domino do të përfshinte Bosnjën, Kroacinë, Malin e Zi, Kosovën dhe Maqedoninë, që do të ishte një rrezik i papranueshëm për BE-në. Por, nëse SHBA-të dhe BE-ja i bëjnë presion të mjaftueshëm Serbisë, ajo mund të mos e njeh Kosovën, por të jep garanca që Serbia nuk do të bëjë pengesa për anëtarësimin e Kosovës në OKB-së dhe organizmat relevante botërore”, tha Musliu.Por, sipas juristi hendikep në krejt këtë është përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borell dhe i dërguari special i BE-së për dialog, Miroslav Lajçak, vijnë nga shtete që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës

“Edhe përkundër faktit se në ushtrimin e funksionit të tyre, ata zbatojnë politikat e BE-së, e jo të shteteve të tyre, prapë se prapë kjo mund të ndikojë në proces. Prandaj presidentja Osmani, kryeministri Kurti dhe kryediplomatja Gërvalla, duhet të insistojnë, minimalisht, që Lajçak të zëvendësohet me një diplomat gjerman, si dhe SHBA-të të propozojnë një të dërguar special për dialogun, pa të cilin dialogu do të çalojë. Gjykoj se edhe përkundër kundërshtimeve të faktorit ndërkombëtar, Qeveria Kurti duhet të vendos reciprocitetin si parim i njohur universal, që do të ishte një presion i arsyeshëm ndaj Serbisë në funksion të dialogut”, ka shtuar juristi.Krejt në fund, juristi Musliu nënvizon se është koha që Kosova ta kushtezojë Serinë, dhe të mos sillet si pjesë e saj.

“Konsideroj se është koha që Kosova në dialog mos të sillet si pjesë e Serbisë, por si shtet dhe palë e barabartë, duke e kushtëzuar dhe përballur Serbinë me krimet dhe mizoritë e luftë, me të pagjeturit, përdhunimet, dëmshpërblimin e luftës, gjenocidin etj., sepse vetëm kështu Kosova do të ndihet e barabartë duke e zmbrapsur Serbinë nga apetitet e saja shekullore, dhe ta vejë atë para përgjegjësisë. Mendoj se me krerët e institucioneve të reja, që janë ndër më legjitimet që ka pasur ndonjëherë Kosova, Vuçiqi nuk do ta ketë aspak lehtë të përballet, sepse këta nuk janë të kapur nga shërbime të huaja, janë të pakorruptuar, të pashantazhuar, intelektual që punojnë vetëm për interesin e shtetit. Kjo elitë e re politike e Kosovës, i ka të gjitha argumentet për t’u përballur me Serbinë dhe me i treguar botës se shteti i Serbisë është formuar në tokat shekullore shqiptare”, ka përfunduar juristi, Skënder Musliu.





Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *