Loading...

Friday, January 28, 2022

Pas SHBA-së, edhe presidentja Osmani bojkoton Lojërat Olimpike Dimërore në Pekin

Presidentja Vjosa Osmani do të bojkotojë Lojërat Olimpike Dimërore në Pekin të Kinës, shkaku i shkeljes së të drejtave të njeriut nga autoritetet kineze.

Bekim Kupina, këshilltar për media nga presidenca, tha për Klankosova.tv se vendimi i Osmanit vjen pas bojkotimit nga ana e shteteve tjera demokratike, si SHBA-ja, Australia dhe Britania e Madhe.





“Presidentja Osmani mbështet vendimin e ShBA-së për bojkotin diplomatik ndaj Kinës. Sikurse edhe homologët e saj nga ShBA-ja, Australia dhe Britania e Madhe, presidentja Osmani, shkaku i shkeljes së të drejtave të njeriut nga autoritetet kineze, do t’i bojkotojë Lojërat Olimpike Dimërore në Pekin”, ka thënë Bekim Kupina.

“Ky bojkot diplomatik, sikurse edhe i vendeve të tjera, nënkupton se ekipet garuese marrin pjesë në lojëra, por se Presidentja e Kosovës do t’i bojkotojë të gjitha ceremonitë dhe aktivitetet zyrtare për krerët e delegacioneve gjatë Lojërave Olimpike në Pekin”, shtoi tutje Kupina.





Vendimet për bojkotim nga ana e shteteve të mëdha vijnë pas thirrjeve nga popullatat e tyre, me arsyetimin se autoritetet kineze po vazhdojnë keqtrajtimin ndaj myslimanëve ujgurë, si dhe shtresave tjera të popullsisë.Ndryshe, Osmani mori pjesë në Lojërat Olimpike Verore të mbajtura në Tokio.

Kosova do të përfaqësohet në Lojërat Olimpike Dimërore “Pekin 2022” nga atletë në disa disiplina.Kushtrim Krasniqi, zëdhënës nga Komiteti Olimpik i Kosovës, tha se sa i përket kësaj çështjeje, KOK-u qëndron në linjë me qëndrimet që dalin nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar. /Klankosova.tv/

Leave a Reply

Your email address will not be published.