Loading...

Tuesday, November 30, 2021

Pasuria marramendëse e rektorëve në Kosovë/ Mësojeni sa shtëpi, banesa, lokale, apartamente e vetura kanë ata…

Shtatë universitete publike operojnë nën “ombrellën” e Ministrisë së Arsimit në Kosovë. Ato udhëhiqen nga po kaq rektorë (7).Disa nga ta kanë deklaruar qindra mijëra euro në formularët e pasurisë për vitin 2021.Regjistrat nxjerrin në pah të dhëna që dëshmojnë se rektorët janë fort të dhënë edhe pas veturave luksoze.Rektor Sahiti – UP Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” është më i madhi në vend. Ai u themelua në vitin 1969. Tani numëron 14 fakultete.





Në krye të tij është rektori Naser Sahiti. Ky po del të jetë goxha i pasur, meqë ka deklaruar patundshmëri mbi gjysmë milioni euro në Agjencinë AntiKorrupsion.
Këtu hyjnë tokat e malet, 8.9 hektarë gjithsej, që Sahiti ka thënë se kushtojnë 445 mijë euro, shtëpia e tij 250 metra katror që e ka vlerësuar me 115 mijë euro e krahas këtyre edhe banesa 30 mijë euroshe dhe garazhda në vlerë 10 mijë euro. Pronësia e të gjithave, sipas Sahitit, është e përbashkët,.





Në anën tjetër, shefi i UP-së tek pasuria e luajtshme ka deklaruar dy vetura, një golf 7 të tijin dhe një tjetër 6, të bashkëshortes. 14 mijë euro ia ka vënë çmimit veturës së vet. 10 mijë asaj të gruas. Rektori Sahiti ka afër 42 mije euro para të gatshme në bankë.
Rektor Kosumi – UKZUniversiteti “Kadri Zeka” Gjilan u themelua më 6 mars të 2013-s. Rektor është Bajram Kosumi.





Në regjistrin e pasurisë, ish-kryeministri i Kosovës, ka deklaruar pasuri të paluajtshme rreth 210 mijë euro. Ai ka dy toka në vlerë totale 58 mijë euro dhe dy banesa, të cilave ua ka vënë çmimin, njërës 91 mijë e tjetrës 60 mijë euro. Kosumi ka edhe dy vetura, njëra e bashkëshortes në vlerë 3 mijë e 100 euro dhe të vetën që e bleu në 2020-n për të cilën shpenzoi 40 mijë euro.





Këtë vit ai në total së bashku me gruan e tij, para të gatshme, i kanë 17,633 euro. Kosumi tërhoqi edhe mbi 6 mijë euro nga Trusti, e drejtë kjo e mundësuar nga Qeveria Hoti si pjesë e pakos së rimëkëmbjes ekonomike.





Rektor Temaj – UNHZ
Një Universitet tjetër publik është ai “Ukshin Hoti” në Prizren. Nisi punën si unversiteti i dytë publik në Kosovë në vitin 2009. Udhëheqës i tij tani është Ismet Temaj. Rektori në fjalë ka 340 mijë euro patundshmëri, ky hyn një truall që thotë se është i prindit të tij në vlerë 140 mijë euro dhe një shtëpi në vlerë 200 mijë. Shefi i UHZ-së ka dy vetura, një Golf 4 dhe një Mercedes, i blerë në 2020-n. Të parit ia ka “mvesh” vlerën 8 mijë e 400, kurse të dytit 28 mijë euro. Temaj dhe bashkëshortja e tij i kanë të paluara mbi 17 mijë euro në bankë.





Rektor Nimani – UGJFA
“Fehmi Agani” në Gjakovë është Universiteti tjetër publik i radhës. Artan Nimani është rektor këtu. Nimani ka gjashtë toka, dy shtëpi dhe dy banesa. Vlera totale e krejt kësaj pasurie të paluajtshme është 677 mijë euro. Sa i përket pasurisë së luajtshme, rektori ka një veturë të tipit Suzuku – 15 mijë euro. Ndryshe Nimani është edhe pronar i fabrikës, “Endra Group”. Ka 10 mijë e 500 euro të holla në bankë.





Rektor Musaj – UIBM
Rektori i Universitetit të Mitrovicës “Isa Boletini” është Alush Musaj. Pasuria e tij e paluajtshme është 118 mijë euro: Kaq ia bëjnë dy banesat dhe një tokë. 10 mijë euro kushton vetura e tij. E Musaj se bashku me gruan e tij kanë të tubuara në bankë mbi 9 mijë euro.





Universiteti Publik “Haxhi Zeka” i cili u themelua si Universitet i pavarur në vitin 2012. 280 mijë euro është vlera e pasurisë së rektorit të këtij universiteti. Fjala është për Fadil Millakun që ka tri toka dhe një shtëpi. Tek pasuria e luajtshme figuron veç një veturë që kap shifrën 5 mije euro. Millaku dhe gruaja e tij kanë 23 mijë euro para të gatshme.





Rektor Bajraktari – USHAF
Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF) u themelua nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), më 2015. Agron Bajraktari është rektor. Ky ka 5 shtëpi, një banesë, një lokal dhe një apartament. Vlera e krejt këtyre pronave, për të cilat thotë se i ka në pronësi të përbashkët, është afër 1 milion euro. Bajraktari ka deklaruar edhe dy vetura, të veten dhe gruas, që së bashku kapin shifrën e afro 25 mijë eurove. Bajraktari posedon edhe gjysmën e aksioneve në firmën Bajraktari SHPK. Në bankë i ka pos 104 euro të gatshme.





Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *