Loading...

Sunday, January 23, 2022

Radojçiq, Veselinoviq dhe serbë të lidhur me ta sanksionohen nga ShBA-ja

Millan Radojçiq, Zvonko dhe Zharko Veselinoviq, Srgjan Vulloviq, Zhelko dhe Andrija Bojiq dhe Radulle Steviq – të gjithë serbë nga Kosova – janë vënë në listën e sanksioneve të Departamentit të Thesarit të SHBA-së.Zyra e Kontrollit të Pasurive të Huaja, në kuadër të këtij departamenti, publikoi të mërkurën një listë të individëve dhe kompanive të tyre në vende të caktuara, që me një emër quhen “Shtetas të etiketuar në mënyrë të posaçme”.





Me futjen e tyre në listë të sanksioneve, prona e tyre kryesisht bllokohet dhe qytetarëve amerikanë u ndalohet të bashkëpunojnë me ta.Sipas ueb-faqes së Departamentit amerikan të Thesarit, Zyra e Kontrollit të Pasurive të Huaja menaxhon dhe zbaton sanksionet ekonomike dhe tregtare, bazuar në politikën e jashtme të SHBA-së dhe sigurinë kombëtare.Sanksionet aplikohen kundër vendeve dhe regjimeve të huaja që janë në shënjestër, terroristëve, trafikantëve ndërkombëtarë të drogës dhe atyre që përfshihen në aktivitete që lidhen me përhapjen e armëve të shkatërrimit në masë dhe me kërcënime të tjera për sigurinë kombëtare, politikën e jashtme ose ekonominë e Shteteve të Bashkuara.





Kush janë serbët e Kosovës të përfshirë në listë?Lista e zezë përfshin Zvonko Vesellinoviqin dhe vëllain e tij, Zharko, të cilët, sipas agjencisë së lajmeve Reuters, Departamenti i Thesarit i akuzon se kanë bërë marrëveshje me politikanët për t’i ndihmuar partitë e tyre që t’i fitojnë zgjedhjet dhe se u kanë dhënë para kandidatëve.Në këmbim, politikanët u kanë dhënë vëllezërve Vesellinoviq kontratat më të mira të infrastrukturës, informacione mbi pronësinë për t’i mbështetur investimet e tyre dhe kontroll mbi fusha të caktuara të biznesit të tyre, njoftoi Departamenti i Thesarit.

Sipas tij, në listën e sanksioneve, i lidhur me Zvonko Vesellinoviqin është edhe Millan Radojçiq, nënkryetar i partisë kryesore serbe në Kosovë – Lista Serbe.Radojçiq ka lidhje me vrasjen e politikanit serb në Kosovë, Oliver Ivanoviq.Në listë është edhe Zhelko Bojiq, ish-shef i Operacioneve të Policisë së Kosovës për Veriun, i cili gjithashtu është i lidhur me vrasjen e Ivanoviqit dhe kërkohet nga institucionet e Kosovës.Marko Roshiq, i akuzuar në rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit, është po ashtu në listë.





Në mesin e tyre është edhe Radulle Steviq, sipërmarrës serb nga veriu, i njohur për fitimin e shumë tenderëve të institucioneve të Kosovës, për projekte të ndryshme infrastrukturore në veri të Kosovës.Lista përfshin edhe kompani të shumta nga Serbia dhe Kosova, të cilat janë të lidhura me disa nga të përmendurit më lart.

Në mesin e tyre janë shumë kompani që janë të lidhura me Zvonko Vesellinoviqin, si: “Dolly Bell” nga Beogradi, kompania për shitjen e automjeteve “Civija Komerc” nga Shabaci, kompania ndërtimore ‘INCOP’ nga Quprija, kompania e betonit “Aleksinac”, dyqani i pavarur “Prizma” nga Mitrovica e të tjera.Në listë është edhe kompania “Doo Rad” e Radulle Steviqit në Zveçan, si dhe disa kompani të Millan Radisavleviqit dhe Sinisha Nedelkoviqit./REL

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *