Loading...

Monday, January 24, 2022

Rakiq: Qeveria e Kosovës, e papërgjegjshme ndaj qytetarëve që ia besuan votën

“Dialogu është një proces, në të cilin palët përpiqen ta zgjidhin problemin duke folur dhe duke kërkuar kompromis, duke respektuar nënshkrimet e tyre. Kur e keni këtë parasysh, si dhe sjelljen e Prishtinës, atëherë qëllimi i tyre për të bllokuar dialogun është i qartë”, tha kryetari i Listës Serbe dhe ministri për Kthim dhe Komunitete në Qeverinë e Kosovës, Goran Rakiq.





Në një intervistë për “Novosti”, ministri serb i qeverisë “Kurti” vlerësoi se Kosova nuk hyri në dialog me një qëllim të sinqertë për të zgjidhur problemin, as nuk respektoi detyrimet që ka ndërmarrë deri më tani, transmeton Zeri.info.

“Pse kjo është një taktikë dhe nëse ata kanë mbështetjen e dikujt në të, nuk do të spekuloja, por një sjellje e tillë është joracionale dhe e papërgjegjshme ndaj qytetarëve që u dhanë mbështetje në zgjedhje”, tha Rakiqi, duke iu përgjigjur pyetjes nëse ai beson se procesi negociator do të çojë në rezultate konkrete në të ardhmen e afërt, “veçanërisht pasi raundi i fundit i dialogut në Bruksel tregoi se kryeministri i Kosovës Albin Kurti nuk ka synime të tjera, përveç njohjes së Kosovës”.





Më poshtë intervista e Rakiqit për mediumin serb “Novosti”, pa ndërhyrje editoriale:

“Novosti”: A prisni që Bashkimi Evropian të zbatojë mekanizma për të vazhduar dialogun pa pengesa dhe çfarë mund të bëhet për ta detyruar Prishtinën që më në fund të formojë Asociacionin e Komunave Serbe





Rakiq: Bashkimi Evropian, me pasivitetin e saj, ka kontribuar në sjelljen e Prishtinës. Është e pabesueshme për mua që edhe tetë vjet pas nënshkrimit të marrëveshjeve ne nuk kemi formuar Asociacionin e Komunave Serbe, për çka Brukseli ishte garantues. Në atë kuptim jam pjesërisht i zhgënjyer, sepse BE-ja nuk është një shoqatë joformale, por një organizatë serioze që ka mekanizma ekonomikë, politikë dhe të tjerë për zbatimin e vendimeve dhe politikave të saj. Nëse shohim se këto mekanizma mungojnë kur bëhet fjalë për Prishtinën, atëherë qëndrimi im se Brukseli është pasiv, është absolutisht i justifikuar dhe i përshtatshëm.

“Novosti”: Sa ju shqetëson fakti se për Prishtinën është i papranueshëm madje edhe një paragraf që nënkupton përmbajtjen nga veprimet që do të çonin në dhunë dhe destabilizim?





Rakiq: Kjo është një situatë veçanërisht e rrezikshme. Paqja e brishtë në këtë zonë duhet të ruhet me çdo kusht dhe më vjen mirë që në shumë situata qytetarët tanë nuk ranë në provokime, por u përmbajtën. Megjithatë, unë besoj se KFOR-i, si një organizatë dhe forcë ushtarake e respektuar, nuk do t’ia lejojë Prishtinës një aventurë që do ta dërgonte këtë rajon në një rrugë të rrezikshme.

“Novosti”: Maltretimi i Dragica Gashiqit, e vetmja serbe e kthyer në Gjakovë, është bërë simbol i qëndrimit të Prishtinës ndaj popullit tonë. Si të inkurajohen serbët e mërguar që të kthehen në Kosovë në rrethana të tilla?





Rakiq: Është jashtëzakonisht e vështirë nën presione të tilla nën të cilat Dragica Gashiqi jeton ose më mirë të them mbijeton sot. Ajo është një heroinë e shekullit 21 dhe një simbol i luftës së popullit serb për kthim, jetë normale dhe bashkëjetesë. Do të mbetet një njollë e madhe në fytyrën e shumë njerëzve që do të duhej t’i dilnin në mbrojtje Dragica Gashiqit dhe ata nuk arritën ta bëjnë këtë. Ajo është diskriminuar shumë herë. Së pari, sepse serbe e kthyer, e vetmja në Gjakovë, së dyti, sepse ajo është grua, së treti, sepse është e sëmurë … Dhe e gjithë kjo nuk ishte e mjaftueshme që disa nga bashkësia ndërkombëtare të reagonin. Dhe kur flasim për kthimin, na mungon kthimi i qëndrueshëm. Para së gjithash, unë jam duke menduar për dy aspekte të rëndësishme, ekonomike dhe të sigurisë. Nëse nuk ka siguri, si të ktheheni, dhe nga ana tjetër, nëse ktheheni dhe prona juaj, ara ose pylli juaj është i uzurpuar, me çfarë do të jetoni? Në përgjithësi, rezultatet janë shkatërruese. Numri i të kthyerve në Kosovë është ndër më të ulëtit në botë.

“Novosti”: FSK-ja po armatoset dhe gjithnjë e më shumë po flitet për futjen e shërbimit të detyrueshëm ushtarak. A mund dhe si mund të parandalohen presionet e mundshme mbi serbët?





Rakiq: Gjatë miratimit të vendimeve të paligjshme në lidhje me Forcën e Sigurisë së Kosovës Lista Serbe tha qartë se këto vendime ishin jokushtetuese dhe të papranueshme për ne. Nga ana tjetër, ne absolutisht mbështesim marrëveshjen, e cila ndalon ardhjen e Forcave të Sigurisë së Kosovës në veri. Ajo që është shqetësuese është vendimi në Prishtinë, që gjatë krizës së madhe ekonomike të shkaktuar nga koronavirusi të ndajë para të mëdha për militarizimin e kësaj zone, në vend që t’i drejtojë ato para për rimëkëmbjen ekonomike dhe mbështetjen e ekonomisë.





“Novosti”: Me çfarë pengesash përballet partia që drejtoni?

Rakiq: Ishte e vështirë të përballoje të gjitha kurthet që prisnin partinë tonë. Kishte videospote të ndaluara, arrestime të pabazuara dhe maltretime të krerëve kryesorë të Listës Serbe. Dhe në zgjedhjet e vitit 2019 neve madje edhe na u refuzuan votat.





“Novosti”: Kohët e fundit u zgjodhët njëzëri kryetar i Listës Serbe për herë të dytë. Sa ju obligon ky funksion?

Rakiq: Përgjegjësia është e madhe kur udhëheq organizatën më të madhe dhe më të fortë të popullit serb në këtë zonë. Lista Serbe, si ombrellë e ndërtimit politik të popullit serb, e mori vendimin për zgjedhjen time njëzëri në organet e partisë, e cila është gjithashtu një mirënjohje për punën e të gjithëve ne në udhëheqjen e partisë. /Zëri

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *