Loading...

Sunday, December 05, 2021

Si u krijua PDK-ja nga ‘shuarja’ e LPK-së, flet pjesëmarrësi i kuvendit të parë

Kuvendi i fundit i LPK-së i mbajtur në Prizren në fund qershorin e vitit 1999, shënon fundin e kësaj Lëvizje si e tillë dhe fillimin e themelimit të Partisë për Bashkim Demokratik, e cila më vonë ndërroi emrin në Partia e Progresit Demokratik dhe pastaj Partia Demokratike e Kosovës.





Një nga themeluesit e saj, ish i burgosuri politik, tash anëtar i PDK-së, Haki Morina, i cili ishte pjesëmarrës në kuvendin që shënoi fundin e LPK-së dhe zanafillën e PDK-së së sotme, tregon se qysh atëherë kishte propozuar që partia ta merrte emrin Partia Demokratike, por që nuk ishte mirëpritur nga të tjerët, shkruan Gazeta Infokus.

Morina në një prononcim për Gazetën Infokus, ka thënë se e kujton me nostalgji kuvendin e fundit të LPK-së, sepse ai moment shënonte edhe realizimin e një kërkese të tij për shndërrimin e Lëvizjes në parti politike, duke ia ndryshuar edhe emrin.





“Unë e kujtoj edhe me nostalgji atë Kuvend, i fundit i LPK-së, sepse u realizua ajo që kisha kërkuar që LPK si organizatë patriotike, nacional-çlirimtare të shndërrohej në parti politike duke ju ndërruar edhe emri. Kuvendin është mbajt në Prizren, kah fundi i qershorit të vitit 1999. Në kuvend kanë marrë pjesë përfaqësuesit e shumicës së rretheve në Kosovë, dhe delegatët e Degës së LPK jasht vendit.

Ndërsa un kam marrë pjesë si anëtar i redaksisë së Zërit të Kosovës, organ i LPK”, ka thënë Morina.Tutje Morina jep rrjedhën kronologjike të ngjarjeve, që nga vendimi për transformim të LPK-së në parti politike, e deri në themelimin e saj dhe propozimin e zgjedhjen e kryetarit.





“Pas diskutimeve të shumta u vendos që LPK të transformohej në Parti politike, dhe për themelimin dhe organizimin e saj u zgjodh një “ekip” me në krye Bedri Islamin. Me sa mbajë mend, kuvendi për themelimin e partisë së re, u mbajt në korrik, të vitit 1999. Pas diskutimeve u vendos krijimi i partisë me emrin Partia e Bashkimit Demokratik, që u propozua nga Bardhyl Mahmuti, i cili edhe u zgjodh kryetar saj.





Morina ka rrëfyer se kishte propozuar qysh atëherë, që kjo parti të emërtohej Partia Demokratike, por që nuk u pranua nga anëtarët e kuvendit dhe se ky propozim i tij habiti ata, ngase nuk prisnin një propozim të tillë pikërisht nga ai që ishte edhe themelues i Forumit të Rinisë së Partisë Socialiste të Shqipërisë. Ai tregon se pastaj kryesia e kësaj partie kishe arritur një marrëveshje me Drejtorinë Politike të UÇK-së e cila e shndërroi atë në Partia e Progresit Demokratik, e më pas në Partinë Demokratike të Kosovës, siç edhe ekziston edhe sot.





“Propozimi im që ta ketë emrin Partia Demokratike, nuk u pranua, bile u prit me të qeshura, sepse nuk e kishin pritë që unë si njëri nga themeluesit e Forumit të Rinisë së PSSH-së, të dilja me këtë propozim. Siç dihet kryesia e kësaj partie, në marrëveshje me ish drejtorinë politike të UÇK-së, më vonë themeluan PDK-në, e cila në fillim mbajti emrin Partia e Progresit Demokratik dhe kryetar i së cilës u zgjodh Hashim Thaçi”, ka thënë për Gazetën Infokus, Haki Morina.





Partia Demokratike e Kosovës, më 3 korrik mbanë Kuvendin e saj Zgjedhor për emërimin e kryetarit të ri, pasi mbeti pa kryetar me shkuarjen e ish kryetarit Kadri Vesili në Hagë, për t’u përballur me akuzat për krime lufte./Gazeta Infokus/





Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *