Loading...

Thursday, December 09, 2021

Specialja fillon me ftesa, avokati: Tash pritet të thirren edhe në seanca gjyqësore të gjithë ata që kanë dëshmuar





Gjykata Speciale ka ftuar sot për intervistim Fahri Fazliun, i cili në luftë ishte vetëm tetëvjeçar. Nga OVL-UÇK, po thonë se ky veprim i Speciales është skandaloz. Ndërkohë, avokati i akredituar nga Specialja, Skender Musa, paralajmëroi se me fillimin e gjykimeve për të paraburgosurit në Hagë, Specialja do të lëshojë ftesa edhe për dëshmitarë të tjerë, që do të dëgjohen në mënyrë publike apo si dëshmitarë të mbrojtur

Fahri Fazliu ishte vetëm tetëvjeçar në luftën e fundit në Kosovë. Por, Gjykata Speciale sot për të dërgoi një ftesë. Nipi i dëshmorëve, Bahri e Fahri Fazliu, u thirrë nga Specialja si dëshmitarë, për luftën në të cilën iu vranë edhe axhallarët.Në një prononcim për Gazetën Express, Fazliu tha se ftesa e dërguar nga Specialja është e paarsyshme. Ai tha se nuk mund të jap kontribut në dëshmi për shkak të moshës që kishte në luftë. Fazliu theksoi se i kujtohet që forcat serbe i kanë kontrolluar, por se nuk arrinë të kujtoj më shumë nga lufta.





“Jo unë kam qenë fëmijë, kam qenë vetëm 8-vjeçar, s’kam çka me dhënë kontribut, edhe se di pse më kanë thirrë. Nuk po muj me paramendu pse më kanë thirrë kur kam qenë 8 vjeç në luftë…Unë e kam të vrarë familjen, i kam dy axhallarë të vrarë Fahriun dhe Bahriun…Edhe më kujtohet çka na ka bë Serbia, ka hy na ka kontrollu, po diçka tjetër nuk mundem se kam qenë fëmijë”, tha ai për Gazetën Express.

Për Organizatën e Veteranëve të luftës, ftesa e Gjykatës Speciale për Fahri Fazliun për intervistim është skandaloze.Sekretari i kësaj organizate dhe u.d i kryetarit, Faton Klinaku, ka thënë për Express, se Gjykata Speciale po thërret edhe familjarë të pjesëtarëve të UÇK-së për të marrë informacione edhe se për çfarë është diskutuar në oda asokohe.





“A ka ma skandal se me e thirrë tetëvjeçarin si dëshmitarë me dhënë dëshmi, që në kohë të luftës i ka pasur tetë vjet. informacione nuk kam, por ata zakonisht janë duke i bërë vet publike të ftuarit, por ne kemi thënë vazhdimisht që nga Gjykata Speciale janë të rrezikuar apo mund të thirret secili pjesëtarë i UÇK-së, bile bile tash po thirren edhe familjarët sepse po dojnë me ditë se sa kemi pi në oda çaj na. Po donë me ditë qa kena ba llaf na”, deklaroi ai për Express.

Më tutje Kliniku tha se nga Gjykata Speciale nuk ka asgjë dhe se e njëjta po bënë vetëm politikë.“Ne vazhdimisht kemi thënë që prej gjykatave ndërkombëtare nuk ka asgjë. As nuk hetojnë krime, vetëm bëjnë politikë. Për këtë arsye e kemi kundërshtuar si gjykatë. Edhe formimi e saj por edhe vazhdimin e saj pesë vjeçar, që ne e dimë që i ka skaduar mandati dhe fajet janë tek politikanët tanë, deputetët tanë që e kanë formuar një gjykatë të tillë. Ne kemi kërkuar vazhdimisht që të formohet një gjykatë vendore që do t’i hetojë krimet”, deklaroi më tutje Klinaku.

Ndër të tjera, zyrtari i OVL-UÇK-se deklaroi për Express , se vetëm vitin e kaluar ftesë nga Gjykata Speciale kanë pranuar rreth 300 persona.Në ndërkohë, avokati i akredituar nga Gjykata Speciale, Skender Musa ka thënë për Express, se me vet faktin që kanë filluar procedurat gjyqësore, tani mund të ketë edhe më shumë ftesa të personave në cilësinë e dëshmitarëve.Madje ai tha se këta dëshmitarë pritet që të thirren për të dëshmuar edhe në seanca të hapura gjyqësore.





“Vet fakti që kanë filluar procedurat gjyqësore dhe do të ketë ftesa të dëshmitarë dhe shpalosje të provave sepse në proceset penale, e gjithë procedurat varet nga marrja e provave me anë të dëgjimit të dëshmitarëve. Prandaj të gjithë dëshmitarët që janë dëgjuar nga policia e EULEX-it apo nga prokurorët e Dhomave të Specializuara në Kosovë dhe të cilët janë konsideruar si dëshmitarë të besueshëm nga Prokuroria Speciale do të ftohen edhe në Dhomat e Specializuara për t’u dëgjuar në mënyrë publike apo si dëshmitarë të mbrojtur. Varësisht nga procesi që u kanë dhënë Dhomat e Specializuara. Tash pritet që çdo kush që ka dhënë dëshmi, pranë Dhomave të Specializuara , pritet me u thirr edhe para gjykatave”, ka thënë Musa.

Aktualisht në paraburgim në Hagë gjenden: Ish-presidenti Hashim Thaçi, deputeti i LVV-së, Rexhep Selimi, kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, ish-kryeparlamentari Jakup Krasniqi, ish-komandanti i Zones Operative te Llapit, Salih Mustafa (komandant Cali), Pjetër Shala (komandant Ujku), kryetari i OVL-UÇK, Hysni Gucati dhe nënkryetari Nasim Haradinaj. /Express/





Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *