Loading...

Saturday, January 29, 2022

Sveçla: Epoka e nënshtrimit ka përfunduar, e ka kuptuar edhe Beogradi e BE-ja

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka reaguar pas heqjes së barrikadave dhe Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës në veri, saktësisht në dy pikat kufitare, Jarinjë dhe Bërnjak.





Gjithashtu, Ministri Sveçla ka shkruar se epoka kur Republika e Kosovës nënshtrohet ka përfunduar, dhe se këtë mesazh e ka kuptuar edhe Beogradi e BE-ja.Postimi i plotë:Reciprociteti me Serbinë u vendos me 20 shtator për të vazhduar me 4 tetor!

Reciprociteti me Serbinë u vendos me 20 shtator, dhe u zbatua në tërë territorin e Republikës së Kosovës. Policia e Kosovës, dëshmoi se është polici profesionale dhe e gatshme të mbrojë sovranitetin e shtetit dhe ofrojë rend dhe siguri anë e mbanë, pa dallim.





Përderisa Republika e Kosovës tregoi se ka institucione demokratike dhe profesionale, dhe se është e përkushtuar për rend dhe ligj, Serbia përgjatë 13 ditëve përdori të gjitha mjetet, përfshirë dhe veprimtarinë e vet kriminale përmes bllokimit të rrugëve, kërcënimeve për serbët lokal, shantazhit e sulmeve terroriste në institucionet publike.





Por, as kjo ndërmarrje kriminale e sponzorizuar nga qeveria e Serbisë nuk arriti të zbrapsë Kosovën dhe njësitë tona speciale nga zbatimi i vendimit legjitim.

Megjithatë, Kosova bëri dhe një hap para. Mbi parimin e reciprocitetit vendosi që të bashkëpunojë me aleatët tanë dhe pas tërheqjes së barrikadave, të largojë Njësitë Speciale por në bashkëpunim me KFOR-in të sigurojë Policinë Kufitare dhe mbrojë dhe më tutje kufirin me Serbinë.





Epoka kur Republika e Kosovës nënshtrohet ka përfunduar, dhe këtë mesazh tashmë e ka kuptuar Boegradi dhe Brukseli. Kosova ka Qeveri të re sovrane të cilën askush nuk mund ta shantazhojë për shkak të hiseve në krim e korrupsion.

Sovraniteti dhe ligjshmëria do të shtrihet në tërë territorin e Republikës së Kosovës, me çdo kusht. Krimi dhe korrupsioni do të luftohen në çdo cep. Policia e Kosovës e dëshmoi për 13 ditë se përveç që është profesionale është edhe gatshme të kryej misionin e saj me sukses.
Faleminderit pafundësisht.

Leave a Reply

Your email address will not be published.